Miratohet në parim, projektligji për tregtinë me produkte të naftës

Kuvendi i Kosovës me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar në parim projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme,

Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme është pritur për një kohë të gjatë, më shumë se një dekadë.

Sipas ministres kohëzgjatja e lejeve është rritur nga 2 vjet në 6 vjet.

“Ligji i ri i siguron mekanizmat e duhur për zbatimin e kushteve ligjore dhe për të siguruar cilësinë e naftës para hyrjes në treg, kudo në treg, kudo në treg te operatorët dhe te konsumatorët. Mbikëqyrja inspektuese është fuqizuar. Mbikëqyrja e tregut të naftës do të jetë transparente dhe shteti do të informoj publikun për shkeljet, siç njofton operatorët për detyrimet e tyre”, tha Hajdari.

Hajdari tha se sektori i naftës është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin ekonomik por për sundimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e konkurencës si dhe integrimin evropian në përgjithësi.

“Ky projektligj ofron këto përparësi do të ketë mekanizma që lidhen me prodhimin dhe përpunimin, procedurat e lejeve janë të thjeshtësuara, bizneset do ta kenë më të lehtë pajisjen me leje por njëherësh shteti do të ketë më të lehtë administrimin dhe mbikëqyrjen e lejeve. Pra, do të kemi thjeshtësime dhe do të fuqizojmë procedurat”, tha ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala, tha se ligji i ka disa mangësi.

“Ne e kundërshtojmë këtë mënyrë të hartimit të këtij ligji. Jemi kundër. Do të duhej t`i kthehet qeverisë sepse edhe ky ligj është servu nga e kaluara nuk është ligj i kësaj qeverie. Shtyjeni edhe një muaj e bëjeni një ligj që ndryshon nga ligjet e tjera. Ta shohim një aktivitet më transparent”, tha Shala.

Valentina Bunjaku, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtoi se si grup parlamentar do ta japin kontributin e tyre mes dy leximeve.

Albena Reshitaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës konsideron që është i një rëndësie të vecantë serioziteti i institucioneve në kontrollimin e importit të naftës që futet në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm kontrolli i cilësisë por edhe inspektimi dhe kontrollimi i funksionit të laboratorëve.

“Deri më sot vendi jonë nuk ka informacione shkencore në lidhje me impaktin e kualitetit të dobët të naftës që është fut në territorin e Kosovës”, tha Reshitaj.

Ajo tha se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre mes dy leximeve dhe se sipas saj, është e rëndësishme të miratohet në lexim të parë kjo pikë.