Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Miratohet në parim projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale

Me 66 vota pro, asnjë kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Ky projektligj tash do të dërgohet tek Komisionet përkatëse Parlamentare për shqyrtim, e më pas do t’i paraqitet Kuvendit të Kosovës në formë raporti rekomandimet para votimit për lexim të dytë.

Ministrja Rozeta Hajdari gjatë preznatimit të këtij projektligji tha se kyprojektligj është i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe sipas saj, ajo që është me rëndësi është pika që departamenti shndërrohet në Gjyaktë Komperciale dhe identifikon sfidat brenda sistemit.

“Gjykata nuk krijohet në ide të pa analizuara. Sektori privat ka kërkuar që një kohë të gjatë krijimin e kësaj Gjykate. Risitë e kësaj Gjykate Komerciale do të funksionojë në dy nivele, Themelore dhe të Apelit. Gjykata do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm, në bazë të standardeve të parapara, kryetari do të ketë rol menaxherial por edhe do të kryejë punë të gjyqësorit”, ka thënë Hajdari.

Kuvendi i Kosovës me këtë votim, mbylli punimet për seancën e sotme. Seanca do të vazhdojë të hënen, me fillim nga ora 10:00, ndërsa pikat e rendit të ditës që kanë mbetur janë:

  1. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave,
  2. Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,
  3. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
  4. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit,
  5. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar,
  6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020.