Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Miratohet në parim Projektligji për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës

Kuvendi i Kosovës me 77 për asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, e ka votuar në parim Projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj ka për qëllim që të rregulloj çështjen e pronësisë.

“Me miratimin e këtij projektligji Republika e Kosovës bënë një hap drejt përmbushjes së obligimeve që kemi si shtet në raport me BE-në, obligime këto të përcaktuara edhe me marrëveshjen për stabilizim asociim në nenin 65.3 të kësaj marrëveshjeje, thuhet që Kosova duhet t’u ofroj shtetasve të BE-së tretman si vendasve në sigurimin e të drejtave pronësore mbi pronën e pa luajtshme”, tha Haxhiu.

Hajdar Beqa deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se ky është një projektligj që Qeveria e ka gjetur të gatshëm dhe e ka të paqartë pse projektligji i gatshëm nuk është votuar qe 6 muaj.

“Krijimi i bazës ligjore që e rregullon çështjen e fitimit të së drejtës pronësore nga shtetasit e huaj është i rëndësishëm dhe e konfirmon seriozitetin e shtetit të Kosovës në trajtimin reciprok të shtetasve të huaj. Ne e kemi përkrah në lexim të parë dhe sot do ta përkrahim në lexim të parë dhe kontributin tonë do ta japim në dy leximet”, tha Beqa.

Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se kanë shqyrtuar këtë projektligj dhe vlerësimi i tyre është pozitiv. Por, ai kishte vërejtje që LVV-ja sipas tij, nuk e ka votuar marrëveshjen e MSA-së e për projektligje po i referohen MSA-së.

“Deklarimi i tyre është që ky projektligj është si derivat i kërkesës së marrëveshjes së MSA-së, dhe kjo është shumë pozitive. Dua t’ju rikujtoj juve dhe njerëzve që LVV nuk i ka dhënë mbështetje dhe nuk e ka votu MSA-në dhe tash kur po i sillni projektligjet po i referoheni MSA-së”, tha Selmanaj.

Haxhiu, shtoi se sa i përket këtij projektligji nuk ka pasur nevojë ta ndërhyjnë pasi janë pajtuar me përmbajtjen.

Kurse, shtoi se me marrjen e detyrës i ka gjetur 9 projektligje pothuajse të gatshme.

“Së pari është dashtë të bëjmë një vlerësim të gjendjes, vetëm në tri prej tyre nuk kemi pas vërejtje dhe i kemi procedu”, tha Haxhiu.

Sa i përket MSA-së Haxhiu tha se e kanë kundërshtuar fusnotën në marrëveshje e jo marrëveshjen si të tillë.