Foto: Kuvendi i Kosovës

Miratohet Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji u miratua me 62 vota ‘për’, në seancën e 05.12.2024 – pa praninë e ligjvënësve të partive opozitare.

Përmes shmangies së afateve ligjore, Kuvendi i Kosovës brenda ditës e ka miratuar Ligjin në dy lexime.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë prezantimit të Projektligjit ka potencuar se Qeveria nuk ka hartuar Projektligj të ri – porse i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet, që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese.

“Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e Ligjit. Pastaj, nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm. Por, gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit mbikëqyrës, në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve.” – ka thënë ajo.

Më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa Nene të këtij Ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në Konferencë për media, Haxhiu pati thënë se tani nuk ka as arsye teknike për ta dërguar sërish këtë Ligj në Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur, më 26.06.2024, për të shpallur të pavlefshëm Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – duke gjetur shkelje kushtetuese në disa Pika të këtij Ligji.

Ky Ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës, më 21.02.2023.