Ilustrim

Miratohet kurrikula për parafillorët, reagon kolegjiumi i çerdheve

Sot Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për miratimin e kurrikulës bërthamë për edukim në fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se gjatë ditës së sotme ministri Bytyqi ka nënshkruar vendimin për miratimin e kësaj kurrikule.

“Miratohet Kurrikula Bërthamë për edukimin në fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç”, thuhet në vendim.

Për këtë miratim ka reaguar edhe kolegjiumi i çerdheve të Kosovës, të cilin vendim e ka nënshkruar ish ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Në reagimin e kolegjiumit thuhet që ky reagim vjen pas mos respektimit të komenteve dhe rekomandimeve të dala nga takimi publik i datës 15 maj 2019 dhe reagimeve individuale të drejtorëve, edukatorëve, prindërve dhe të gjitha institucioneve që merren me edukimin e hershëm të fëmijëve.

“Duke e parë relevancën e edukimit të fëmijërisë të hershëm, lusim Ministrinë e Arsimit në krye me kabinetin e ministrit të anulojnë vendimin, i cili është nënshkruar pa u informuar për rishikim, plotësimin dhe çfarë ndryshimi ka ndodhur në dokument pas diskutimit publik”, thuhet në reagim.

Sipas kolegjiumit, ky dokument si i tillë pa plotësimin me ndryshimet e rekomanduara nuk do të gjejë zbatueshmëri në institucionet parashkollore dhe nuk do të ndikojë në plotësimin e nevojave për zhvillimin e fëmijëve.

Gazeta Jeta në Kosovë, në muajin maj ka shkruar rreth procesit të tejzgjatur të këtij dokumenti.