Vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë

Miratohet kredia me BZhKE-në, 25 milionë euro për blerjen e vaksinave

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes kornizë së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE) për financimin e projektit “Reagimi emergjent ndaj Covid-19”.

Zëvendësministri i Financave Ilir Kapiti, tha se marrëveshja kap vlerën e 60 milionë euro, që 30 milionë prej tyre janë nga marrëveshja bazë. Ai tha se 25 milionë prej tyre do të shkojnë për blerjen vaksina.

“Marrëveshja ka për qëllim që të ofrojë shërbime mjekësore në veçanti për të prekurit nga virusi. Fondet shtesë kanë për qëllim mbulimin e kostos për planin kombëtar për vaksinim”.

“Marrëveshja kap vlerën prej 60 milionë euro, 30 milionë euro janë nga marrëveshja bazë dhe marrëveshja e amendamentit është 25 milionë euro. Esenca është që mjetet të përdoren sa më shpejtë”.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj është shprehur se nuk ka produktivitet kjo marrëveshje.

“Sa i përket kësaj marrëveshje, kur implementohet pas ratifikimit, kur fillon të zbatohet, prandaj ne jemi vonuar në këtë drejtim dhe ka qenë i domosdoshëm, nuk shoh produktivitet në kohën afatshkurtër”.

Edhe deputeti i PDK-së, Bedri Hamza është shprehur se nuk është praktikë e mirë hyrja në borxhe për shpenzimet e paspecifikuara.

“Është një dritare e mirë që ne si Kosovë mund ta shfrytëzojmë, në marrëveshjen origjinale kanë qenë 25 milionë kredi për blerjen e vaksinave, por tash po shkoni përtej kësaj dhe unë besoj që nuk është praktik e mirë me hi borxh për shpenzimet e paspecifikuar”.

“Sa është norma e interesit”, ka pyetur deputeti i VV-së Eman Rrahmani.

Komisioni gjithashtu ka miratuar raportin vjetor financiar i Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2020.

Zëvendësdrejtori i ARRU-së Xhelal Selmani tha se për çdo vit ARrU-ja ka shkurtim të buxhetit

“ARrU për çdo vit fiskal ka shkurtim buxhetore dhe që po e vështirëson veprimtarinë. Ne kemi dorëzuar raportin në mënyrë të detajuar”.

Për arsye të vaksinimit të personave përgjegjës në Komision nuk kanë raportuar përfaqësuesit e Autoritetit Civil për vitin 2020./RTK