Foto: ZKM

Miratohet koncept-dokumenti për Fushën e Automjeteve dhe draft-strategjia për transportin Multimodal

Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Automjeteve.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se qëllimi i këtij koncept-dokumenti është që të ofroj automjete më të sigurta në rrugë, ulje të aksidenteve dhe ndotjes në mjedis.

Ai tha se koncept-dokumenti ka synim që qytetarëve të Kosovës t’iu mundësoj importimin e automjeteve më të sigurta dhe ekologjike.

“Koncept dokumenti për automjete ka synim që qytetarëve të Kosovës t’iu  mundësoj importimin e automjeteve më të sigurta dhe ekologjike, inspektime, shërbime më profesionale në testimin e kontrollimit të rregullsisë teknike të automjetit, monitorim të kontrollit të përshtatshmërisë së automjetit si dhe servisimin e automjeteve dhe veprimtarit që lidhen me to, e të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në parandalimin e aksidenteve dhe uljen e ndotjes në ambient. Koncepti ka synim përfshirjen e  legjislacionit të BE-se në fushën e automjeteve”- shpjegoi ministri.

Qeveria e Kosovës ka miratuar po ashtu edhe draft-strategjinë për Transportit Multimodal për vitet 2023-2030.

Ministri i Mjedisit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thëne se me këtë strategji synohet vendosja e një sistemi transporti të qëndrueshëm dhe të integruar duke forcuar mënyrat e ndryshme të transportit.

“Strategjia për Transport Multi-Modal 2030 synon vendosjen e një sistemi transporti të qëndrueshëm dhe të integruar duke forcuar mënyrat/llojet e ndryshme të transportit (rrugore, hekurudhore dhe ajrore), të tilla si komoditeti, shpejtësia, kostoja, besueshmëria, parashikueshmëria, etj., dhe si të kombinuara, mund të ofrojë zgjidhje më efikase transporti për udhëtarët dhe mallrat” – tha Aliu.

Sipas Aliut, pasi Kosova po vazhdon procesin për anëtarësim në Bashkimin evropian, është nevoja për të zhvilluar mobilitet të qëndrueshëm.

“Zhvillimi i Infrastrukturës dhe i Shërbimeve të Transportit është një nga prioritetet e Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe integrimin për të siguruar lidhje, qasje dhe mundësi më të mira biznesi për qytetarët e saj. Meqenëse Kosova është e përkushtuar dhe vazhdon procesin e anëtarësimit në BE, ekziston një nevojë e qartë për të zhvilluar lëvizshmërinë/mobilitetin e qëndrueshëm dhe për të rritur planifikimin e transportit drejt Agjendës së Gjelbër dhe vizionit të BE-së me zero emetime”- u shpreh ai.

Më tej, ministri tha se strategjia synon edhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror në Kosovë.

“Strategjia e Transportit Multi-Modal 2030 është një përditësim i strategjisë së transportit 2022-2027 që synon zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror në Kosovë duke vendosur themelet për projekte të reja prosperuese infrastrukturore, veçanërisht për zhvillimin e sektorit hekurudhor dhe ‘portit të thatë’, elektrifikimit, për të krijuar kështu lidhje më të mirë rajonale dhe ndërlidhje më të mirë ndërmjet mënyrave/llojeve të transportit brenda Kosovë”- theksoi Aliu.

Objektivat kryesore që trajton Strategjia e Transportit Multimodal janë:

– Lidhja e transportit pa probleme;

– Krijimin e një sistemi të sigurt të transportit – drejt vizionit zero;

– Krijimi i transportit të mençur (smart) dhe digjital;

Objetivat do fokusohen në modernizimin e infrastrukturës dhe shëbimeve të të gjitha llojeve të transportit (rrugor, hekurudhor dhe ajror)”.