Kuvendi Komunal i Prishtinës FOTO-Ardita Zeqiri/KALLXO.com

Miratohet dhënia e pronës në shfrytëzim për Ambasadën e Gjermanisë

Me 38 vota për dhe një kundër Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka aprovuar dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale për Ambasadën Gjermane në Kosovë.

Mbi 700 metra katrorë do jetë parcela që do i jepet ambasadës.

Asamblisti Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kanë marrë shqetësime lidhur me planet e dhënies së kësaj parcele.

“Kam marr shqetësime nga banorë dhe OJQ për këtë pikë. Unë bashkë me Fitore Pacollin kemi qenë në ambasadë për ta ngritur këtë shqetësim. Sipas ambasadës parcela është ndarë para shumë viteve nga Ministria e Planifikimit Hapësinor nuk është zgjedhur nga ata”, tha ai.

Ai shtoi se kanë marrë zotim se pishat për të cilat ishte shqetësimi në atë zonë do ruhen.

“Plani i ambasadës do jetë ekologjik dhe aty do ndërtohet një hapësirë për banorë të zonës ku mund të bëjnë aktivitete”, tha Azemi.

Në anën tjetër Sami Borovci nga AKR tha se qytetarët nuk e kanë kuptuar drejtë këtë pikë, pasi nuk bëhet fjalë për komplet pronën por një hapësirë për çasje.

Hapësira totale e asaj prone është 9978 metra katrorë kurse për ambasadën do jepen 792 metra katrorë.