Foto: ZKM

Miratohet agjenda e reformave, Kosova pret t'i përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Qeveria e Kosovës, më 09.10.2024, ka miratuar Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo do t’i sjellë vendit rreth 882 milionë euro.

Kosova, siç ka thënë ai, ka negociuar me Komisionin Europian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme.

“Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Europian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar”- ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shpjegoi se këto fonde arrihen atëherë kur Kosova plotëson reformat për të cilat janë dakorduar me Komisionin Europian

“Plani ka qëllim që rajonin ta sjell më afër Bashkimit Europian. Kosova mund të fitoi në maksimum 882.6 milionë euro. Këto fonde arrihen atëherë kur ne plotësojmë reformat për të cilat jemi dakorduar me Komisionin Europian. 1/3 janë grade, kurse të tjerat janë hua afatgjata. Kjo nënkupton se këto hua fillojnë të kthehen pas 10 viteve me një normë atraktive të interesit”- u shpreh Bislimi.

Ai tha se agjenda prek pesë fusha: e para qeverisja, fusha e dytë ka të bejë me tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin; fusha e tretë më zhvillimin e sektorit privat dhe mjedisin e të bërit biznes; e katërta merret me zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit human; dhe e fundit ka të bëjë me vlerat themelore dhe sundimin e ligjit.

Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.

Ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, më 07.05.2024, Kosovës dhe Serbisë u janë vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitojnë nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor – në kuadër të Pakos së Rritjes për të cilën Këshilli Europian.

Kushti për të dy shtetet është i qartë: Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Konkretisht kërkohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve me synim të zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe i të gjitha marrëveshjeve të dialogut të kaluar.