Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Miratohen dy mocione të propozuara nga LVV dhe PDK në seancën e Kuvendit

Mimoza Kusari Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar mocion për ndryshimin e rendit të ditës që pika e 5-të e rendit të ditës dhe pika e 6-të të zhvendosen si pika 3 dhe 4.

Zgjedhja e kryesuesit dhe dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave janë pikat që u kërkua të zhvendosen.

Këtë kërkesë e kanë kundërshtuar tri grupet opozitare.

Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se e kundërshtojnë këtë mocon, pasi sipas tij është më në interes puna njëqind ditore e Qeverisë.

Edhe Armend Zemaj deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se “kjo tregon që interes i mazhorancës, janë emërimet e shkarkimet, rehatimi i personave të caktuar, sesa debati për 100 ditëshin dhe vlerësimi i punës së qeverisë”.

“E kundërshtojmë dhe nuk jemi pjesë e këtij ndryshimi”, tha Zemaj.

Kundërshtoi edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj.

“Sepse për qytetarët e Republikës së Kosovës me rëndësi është 100 ditëshi i qeverisë së Kosovës sesa të bëhet një ndryshim në rend dite”, tha ai.

Mocioni ka kaluar me 59 vota për, 25 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa edhe deputeti i PDK-së Ferat Shala ka ngritur mocion, lidhur me sektorin e ujit.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha se “po kërkohet të futet në rend dite, shqyrtimi i raportit me rekomandime në lidhje me gjendjen në sektorin e ujërave”.

Ky mocion ka kaluar me 71 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim. Kjo pikë është vendosur si pikë e 7-të e rendit të ditës.