Ilustrimi: KALLXO.com

Miratimi i buxhetit 2020 pret qeverinë e re

Ministria e Financave e ka përgatitur draft-buxhetin e Kosovës për vitin 2020 dhe është duke pritur krijimin e qeverisë së re për miratim.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020 është i finalizuar dhe vetëm pritet për miratim në Qeveri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për KALLXO.com.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive nuk parasheh ndonjë afat ligjor se kur buxheti duhet të aprovohet në qeveri. Por e parasheh afatin që deri më 31 tetor duhet të dërgohet në Kuvend.

“Në rrethanat e reja që jemi tani, ne ende nuk kemi Kuvend dhe nuk kemi mundësi që ta dërgojmë në Kuvend draft buxhetin e vitit 2020”, vazhdon përgjigja e Ministrisë.

Deputetët e legjislaturës së shtatë janë betuar të enjten, më 26 dhjetor. Ndërsa kryetar i Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, me votën e 75 deputetëve.

Ministria e Financave ka thënë se procedimi i buxhetit vetëm në Qeveri nuk krijon ndonjë efekt juridik pa i kaluar procedurat në Kuvend dhe shpalljen e tij në Gazetë Zyrtare.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike i parasheh situatat alternative të implementimit të buxhetit të vitit paraprak në rast së nuk aprovohet buxheti për vitin vijues.

Në nenin 24 të këtij ligji thuhet se nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se 4 muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal: thuajse është zgjatur për të mbuluar 2 muajt e parë të vitit të tillë fiskal; dhe thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me 16.67 % të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore.

Më tej në ligj thuhet se Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se 3 muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 6 tetor të këtij viti, ku deri tek kjo erdhi pas dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi ai u ftua nga Gjykata Speciale.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 29 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 28 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e treta me 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD ka marrë 13 deputetë dhe koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD ka fituar 6 ulëse në Kuvend.

Rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit janë certifikuar më 27 nëntor, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, si dy partitë që morën më së shumti vota më 6 tetor, ende nuk kanë nënshkruar koalicionin për bashkëqeverisje, një kabinet qeveritar i të cilave do të duhet të prezantohet në Kuvend për votim.