“Miqtë e Amerikës” festojnë ditëlindjen e 78-të të ish-presidentit Bill Clinton

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, feston ditëlindjen e 78-të, sot më 19.08.2024.

Në shënim të këtij përvjetori, ditëlindja e tij u festua edhe në Kosovë,  në selinë e shoqatës “Miqtë e Amerikës”.

Kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, tha se shprehin mirënjohje jo vetëm për Clintonin, por dhe për të gjithë institucionin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan. 

“Jemi falenderues deri në qiell. Ishte presidenti Clinton ishte ai që dha urdhërin për intervenim të forcave të NATO-s në Kosovë”- tha Rexhepi.

Në këtë mënyrë, sipas tij, shqiptarët tregojnë se janë falenderues dhe meritojnë që të ketë intervenime dhe për çështje të tjera nacionale.

E pranishme në këtë aktivitet, ishte edhe këngëtarja Shkurte Fejza, e cila tha se Clintoni iu gjend popullit kosovar në momentet më të vështira.

“Emri i Presidentit Bill Clinton tani është gdhendur në çdo zemër shqiptare, sepse në çdo ditëlindje të shtetit tonë ne e kujtojmë këtë mik të madh të shqiptarëve, i cili u gjend në momentet më të vështira të popullit tonë”- është shprehur Fejza.

Clinton ka shërbyer si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1993 deri më 2001.