Foto: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)

MINT u jep grante 39 ndërmarrjeve, 18 prej tyre në pronësi të grave

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka nënshkruar marrëveshje për përfitimin e granteve me 39 ndërmarrje në Kosovë, 18 prej të cilave janë në pronësi të grave.

Këto grante, sipas ministres Rozeta Hajdari do të shërbejnë si shtysë e rëndësishme për që ndërmarrjet vendore të rrisin kapacitetet e tyre.

“MINT, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka nënshkruar sot marrëveshjet për skemën e granteve për Certifikimin e Produkteve dhe atë të Iniciativës për Fuqizim Digjital, ku kanë përfituar gjithsej 39 ndërmarrje, nga të cilat 18 në pronësi të grave” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Këto skema të mbështetjes, Ministria thotë se janë në linjë me vizionin e saj për një ekonomi konkurruese, inovative dhe më të qëndrueshme.

“Ndërmarrjet përfituese të certifikimit të produkteve janë në kuadër të shtatë sektorëve të strategjisë për zhvillim industrial, në kuadër të Politikës Industriale 2030” – thuhet më tej.

Ministria thotë se 33 ndërmarrje të tjera kanë përfituar përmes një projekti tjetër Enabling Income Generation for the Poor”( EnInGeP)  të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Bashkëpunim (ADC) dhe se planifikohet që të përkrahen edhe rreth 70 ndërmarrje të tjera.