
Foto: MINT/Facebook
MINT: Dixhitalizohen 29 Ndërmarrje të vogla e të mesme, prej tyre 50% në pronësi të grave
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, George Schnetzer; ekipet e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) kanë njoftuar për dixhitalizimin e 29 Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme: prej tyre 50% në pronësi të grave.
Sipas ministres Hajdari, përmes Skemës së Granteve për Dixhitalizim, e mbështetur nga Ministria që udhëheq përmes KIESA-së dhe në bashkëpunim me projektin “EnInGeP”, të financuar nga ADA, Ndërmarrjet përfituese do të kenë një sërë mundësish për të përmirësuar performancën, për të nxitur inovacionin, për të rritur produktivitetin dhe për të konkurruar në një bazë më të barabartë në tregun vendor e ndërkombëtar.
“Në një kohë kur dixhitalizimi dhe inovacioni janë shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike, 29 Ndërmarrjet përfituese të kësaj skeme do të kenë mundësi të përfitojnë shërbime të avancuara në fushat e Marketingut dixhital, burimeve njerëzore, E-tregtisë dhe platformave të shitjeve online, menaxhimit të marrëdhënieve me klientët (CRM) dhe planifikimit të burimeve të Ndërmarrjeve (ERP) dhe automatizimit e optimizimit të proceseve të biznesit.” – njofton MINT, më 20.02.2025.
MINT tregon se kjo është faza e dytë e projektit “EnInGeP”, me komponentën e Iniciativës për Fuqizim Digjital, nga i cili projekt kanë përfituar edhe 33 Ndërmarrje të tjera në fazën e parë.
Hajdari ka veçuar përkushtimin e MINT-it me politikat e shëndosha dhe instrumentet mbështetëse, duke shpalosur potencialin e Ndërmarrjeve vendore, të cilët konsideron se janë shtytësit kryesorë për zhvillim ekonomik, social dhe mjedisor në Kosovë.
“Në këtë qëllim, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në kuadër të MINT-it, do të lansojë thirrjet e radhës, gjatë këtij fillimviti, për mbështetjen financiare ndaj Ndërmarrjeve vendore për dixhitalizim, inovacion, avancim të teknologjisë, standardizim dhe certifikim, për rritjen e konkurrueshmërisë dhe integrimin e tyre në tregun ndërkombëtar.” – ka njoftuar MINT.