Foto: MINT, 14.03.2025

MINT dhe Dogana nënshkruajnë marrëveshje për t’iu shmangur kostove të larta të testimeve laboratorike

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi, më 14.03.2025, për të “lehtësuar tregtinë, parandaluar monopolizimin dhe shmangur kostot e larta të testimeve laboratorike për kontrollin e cilësisë në tregun e brendshëm”.

Sipas njoftimit nga MINT, kjo marrëveshje garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it apo bizneset, duke “siguruar transparencë dhe integritet” në këtë proces dhe duke “përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë”.

Me këtë rast ata kanë përmendur një vendim të ministres së MINT, Rozeta Hajdari, sipas të cilit, Dogana e Kosovës ka marrë përsipër kryerjen e testimeve laboratorike për të garantuar konformitetin e derivateve të naftës të importuara në Kosovë. 

“Me kalimin nga laboratorët privat në laboratorët shtetërorë, kemi arritur të kursejmë ekonominë e Kosovës dhe qytetarët nga kosto të panevojshme prej 1.1 milionë eurosh. Për më tepër, nga nëntori i vitit 2021, për herë të parë kemi nisur kontrollin e cilësisë për vajrat motorikë dhe hidraulikë. Që atëherë, laboratori i Doganës së Kosovës ka kryer testime për 910 mostra të vajrave, prej të cilave 78 nuk i kanë përmbushur standardet dhe janë ndaluar nga hyrja në treg” – thuhet në njoftimin e MINT, më 14.03.2025.

MINT njofton se kanë kryer auditimin e katër operatorëve privat të licencuar për përzierjen e karburanteve dhe vajrave për ngrohje. 

“Pas inspektimeve, Dogana e Kosovës konstatoi se operatorët nuk po respektonin masat e mbikëqyrjes, ndërkaq MINT vendosi revokimin e licencave të tyre. Si rezultat, bazuar në kërkesat e tregut dhe rritjen e mbikëqyrjes, kemi parandaluar shmangien tatimore që mund potencialisht të ndodhte përmes këtyre operatorëve, duke kursyer buxhetin e Kosovës me rreth 3.5 milionë euro në vit” – ka thënë MINT.

MINT ka theksuar se me fuqizimin e mëtejshëm të laboratorit shtetëror, kanë hedhur bazat për zgjerimin e kapaciteteve të tij, duke siguruar një sistem të pavarur dhe të besueshëm të testimit që i shërben nevojave të tregut dhe qytetarëve të Kosovës, rritjes së cilësisë së produkteve, mbrojtjes së konsumatorit dhe efikasitetit ekonomik.