Ministrja shpërblen Era Sylën, nxënësen që fitoi në gara evropiane në matematikë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka shpërbyler nxënësen Era Syla nga Gjilani, pasi fitoi medalje të bronztë në gara në matematikë në Olimpiadën Evropiane.

Këtë e ka bërë të ditur Bajrami në një postim në Facebook, ku ka ndarë shumën prej 1 mijë eurosh për Sylën.

“Sot në cilësinë e ministres në detyrë, kam marrë vendim që në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të shpërblej nxënësen Era Syla, pjesëmarrëse në garën evropiane të matematikës “Olimpiada Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020” me rastin e shpalljes fituese me Medalje të Bronztë në këtë garë”, ka shkruar Bajrami.

“Ky vendim mbështetet në dispozita ligjore dhe ka për qëllim të mbështes dhe inkurajoj nxënësit për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare nga fusha edukativo-arsimore”, ka thënë në fund ajo.

Era Syla ka fituar dje medalje te Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza –EGMO 2020, ku Republika e Kosovës u paraqit për herë të parë në këtë garë të formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, dhe konsiderohet gara më e rëndësishme e matematikës për vajza.