Foto: KALLXO.com, Rozeta Hajdari

Ministrja Rozeta Hajdari: Udhëzimi Administrativ për shpërndarjen e naftës për bujqit pa bazë ligjore

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për punën e Ministrisë për vitin 2021 dhe planin e punës për vitin 2022.

Gjatë raportimit kryesuesi i Komisionit, Ferat Shala theksoi çështjen e subvencionimit të naftës për bujqit.

Shala pyeti nëse Ministria ka ndonjë mekanizëm që nafta për bujqit të shkojë tek bujqit pa u keqpërdorur.

Ministrja Hajdari për ketë çështje tha se është trashëguar një udhëzim administrativ pa bazë ligjore.

“Kemi trashëguar një proces të ngutshëm dhe pa bazë ligjore që nuk e ka paraparë markimin dhe shenjëzimin e naftës. Ne kemi anuluar pjesërisht udhëzimin”, tha ajo.

Sipas saj nuk është problemi te nafta për qëllime bujqësore, por është problem që nafta hyn për qëllime bujqësore e pastaj përdoret për qëllime tjera.

Ministrja Rozeta Hajdari raportoi për punët e bëra gjatë vitit 2021.

Ajo tha se me të marrë mandatin janë rishikuar çështjet e mbetura në këtë ministri.

“Ne i kemi dhënë prioritet dhe kanë arritur të zbatohen 80% të masave përfshirë edhe agjendën e stabilizim-asocimit”, tha ajo.

Hajdari ka theksuar disa prej ligjeve dhe udhëzimeve të miratuara gjatë viti 2021 në Kuvend.

Ajo tutje shtoi se kanë punuar në bazë të gjashtë objektivave në planin strategjik.

“Gjashtë objektiva në planin strategjik janë përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes, zhvillimi i politikave industriale, mbështetja e bizneseve, zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet turizmit, promovimi dhe përkrahja e investimeve, rritja e kualitetit të cilësisë dhe përkrahjen e konsumatorëve”, ka thënë Hajdari.

Ministrja shtoi se gjatë vitit 2021 janë realizuar dy faza të përkrahjes së ndërmarrjeve.

“Udhëzimi administrativ për dhënien e grandeve do të lehtësoj të bërit biznes ne Kosove. Kemi shumë panaire dhe forume biznesore që kanë prezantuar potencialet e Kosovës. Kosova ka avantazhin njeri, valutën euro, stabilitetin ekonomik që kanë sjell rezultat për investim në Kosovë”, tha ajo.

Hajdari shtoi se në numër prej 62,7% të eksportit ka rritje dhe tha se janë afër 500 milionë euro investime gjatë vitit 2021.