Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Punëve të Brendshme gjatë vizitës në Minierën e Trepçës, 23.08.2024. Foto: Artane Rizvanolli, Facebook.
Ministrja Rizvanolli vizitoi Trepçën, e quan objekt të keqpërdorimit
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka quajtur Minierën e Trepçës objekt të keqpërdorimit të pafundmë, pasi që dje vizitoi atë bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Rizvanolli tha se janë marrë vesh me minatorët se nuk duhet të fshihet keqpërdorimi prapa djersës së minatorit.
“Bashkëbisedimi që kishim dje me minatorët e të tjerët ishte jashtëzakonisht i vlefshëm, i hapur e i sinqertë” – ka shkruar ajo.
Keqpërdorimet sipas saj janë bërë pasi që dikush ka punësuar njerëz për të blerë vota e ka vjedhur e dikush ka keqpërdorur fotografitë e minatorëve për qëllime politike.
“Me shumë kënaqësi do të bashkëbisedoj me ata/o që janë sinqerisht të interesuar për sfidat e Trepçës e çfarë po ndodh aty, e jo thjesht për të shtrembëruar e keqpërdorur vështirësitë e ndërmarrjes për klikime e poena politike” – ka shkruar Ministrja në Facebook.
Në një postim tjetër, të premten më 23.08.2024, ministrja Rizvanolli tha se Bordi dhe menaxhmenti e kanë përkrahjen e plotë të Qeverisë për të siguruar drejtësi, ligjshmëri si dhe rritje të prodhimit.
Në Trepçë kanë ndodhur disa zhvillime kohëve të fundit, me largime nga puna, suspendime, mungesa e pagave që çoi minatorët në grevë.
13 punëtorë janë larguar nga puna apo suspenduar me arsyetimin se kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar duke pretenduar se disa këta punëtorë kanë dhënë dorëheqje dhe nuk janë larguar nga puna.
Për shkak të mosekzekutimit të pagave, minatorët patën paralajmëruar edhe protestë. Mirëpo, vendimi i Qeverisë për t’i ndarë 4 milionë euro për pagat e tyre një ditë para protestës, bëri që minatorët të anulojnë protestën.