Ministrja Rizvanolli: Të gjitha komunat janë duke u furnizuar me ujë, po punojmë për zgjidhje afatgjatë për kanalin e Ibër-Lepencit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se janë duke punuar për një zgjidhje afatgjatë në kanalin Ibër-Lepenc pas sulmit të 29.11.2024.

Ajo tha se aktualisht të gjitha komunat që u prekën fillimisht nga mungesa e ujit pas sulmit terrorist tashmë janë duke u furnizuar me ujë.

Ministrja e Ekonomisë tha se në natën e sulmit, KEK kishte sigurar 150 megavatë orë energji elektrike nga Korporata e Energjisë së Shqipërisë, të cilën e falënderoi për ndihmën.

“Vetëm shtatë orë pas sulmit kemi gjetur zgjidhje alternative për furnizim me ujë për KEK. KEK po atë natë ka siguruar deri në 150 megavatë rrymë në rast nevoje nga Korporata Energjetike e Shqipërisë. Përderisa po flasim të gjithë komunat tash janë duke u furnizuar me ujë. Në Ibër-Lepenc është duke u punuar bashkë me ekspertët dhe me përkrahje të Ministrisë për të bërë një zgjidhje afatgjatë për kanalin. Sulmet si kjo janë të jashtëzakonshme por derisa lufta në Ukrainë vazhdon situata e furnizimit me rrymë mund të jetë problem andaj lus qytetarët dhe bizneset që të jenë të kujdesshëm me shfrytëzimin e energjisë”- tha ajo.

Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit.

Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni Këtu.

 

Ministrja Rizvanolli mbrëmë vizitoi zonat që mbetën pa ujë si pasojë e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit