Ministrja për shkarkimin e Drejtorit të ATK-së: Ka shpallur kundërligjshëm tri pozita në konkursin për Zëvendësdrejtor

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se ish-drejtori i Agjencisë Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka shpallur kundërligjshëm tri pozita në një konkurs të brendshëm, për Zëvendësdrejtor.

Bajrami në Komisionin për Buxhet dhe Transfere lidhur me shkarkimin e Ilir Murtezaj nga pozita e drejtorit të ATK-së tha se shkelja ligjore e tij është konfirmuar në konfirmuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP).

“Si hakmarrje, drejtori ka shfuqizuar akt-emërimet e drejtorëve të ATK. Një shkelje e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e ATK-së ” tha Bajrami.

Përpos kësaj, ajo tha se Murtezaj ka hartuar dhe miratuar rregulloren e brendshme në kundërshtim me ligjin dhe nuk iu ka nënshtruar procedurave të Ligjit për Administratën Shtetërore dhe Agjencionet.

“Drejtori nuk mundet të hartojë një rregullore me një përgjigje të MAP-it, të vitit 2016. Është e vërtetë që në atë vit ka mundur të bëjë me ligjin për ATK, por më vonë ka hyrë në fuqi një tjetër ligj, që ia merr të drejtën” tha Bajrami.

Sipas saj, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se nuk i ka dhënë rekomandime Drejtorit, në lidhje me Rregulloren e brendshme të ATK-së.

Ajo tha se munden të konsiderojnë që struktura e ATK-së është joligjore dhe se ligji për zyrtarët publik, i jep të drejtën për lirim nga detyra.

“Ka pasur degradime, ka bërë lëvizje të shpeshtë të pozitave të zyrtarëve, ka bërë favorizime për persona të caktuar, pa shkuar në procedura të avancimit” tha Bajrami.

Tutje, ajo tha se ka qenë e vështirë të vazhdojë punën me ankesa ditore, me dhjetëra email-e, që i dëshmojnë shkeljet që janë bërë në ATK.

“Nuk mundemi me i mbyll sytë kur një asistente administrative ngritet në detyrë si inspektore” tha ajo.

Sipas Bajramit nuk kanë bërë spektakël me shkarkime por të lartcekurat janë shkelje.

“Ju e dini shumë mirë se sa shkarkime dhe pastrime janë bërë në Qeverinë e kaluar dhe askush nuk është ftuar për raportim, ndoshta as nuk ishin ardhur. Unë jam ardhur për shkak të transparencës” tha Bajrami.

Para një muaji, Ilir Murtezaj është shkarkuar nga kryeministri Avdullah Hoti, bashkë me drejtorin e Doganës dhe atë të Policisë.

Arsyetimi i Qeverisë ishte për shkak të mungesës së performancës.

Murtezaj kishe akuzuar kryeministrin Hotin, se në kohën kur ishte ministër i Financave në qeverinë Mustafa, kishte lejuar që të punësohen njerëz në ATK.

Sipas tij, në ATK janë punësuar fëmijë të gjyqtarëve, deputetëve, e të gazetarëve