Ministrja Nagavci takohet me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Jeton Demi.

Sipas një njoftimi është thënë se në këtë takim është diskutuar për çështje të rëndësishme në arsim, ndryshimet e nevojshme legjislative në këtë sektor dhe ato të cilat janë në proces të ndryshimit, përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023, si dhe të drejtën e nxënësve për të vijuar mësimet pa asnjë pengesë.

“Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë akterët, përfshirë edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës, marrë parasysh rëndësinë që ka roli i prindërve në të gjitha proceset në arsim” – thuhet në njoftim.

Tutje është treguar se ministrja Nagavci dhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, u pajtuan që çdo kërkesë e arsyeshme dhe e argumentuar të shtyhet përpara, në mënyrë që ky Këshill të jetë sa më efektiv në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që ka.