Ministrja Nagavci reagon ndaj raportimit për lënien anash të fëmijëve të komuniteteve në Pejë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj raportimeve për lënien anash të fëmijëve të komuniteteve në Festën e Abetares në Pejë.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie  si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë!”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Ajo ka premtuar se këtë rast do ta shqyrtojnë me prioritet të mërkurën me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Pejës.

“Parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet”, ka shtuar ministrja Nagavci.

“Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaqërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës!”, ka theksuar në reagimin e saj ministrja e Arsimit.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

Krasniqi ka dënuar ashpër këtë gjest dhe ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.

Klan Kosova sot ka raportuar për një rast ku disa nxënës të komuniteteve janë lënë anash në Festën e Abetares, në një organizim në Pejë.