Ministrja Nagavci pas kallëzimit penal ndaj saj: Nuk do të ndalemi
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, beson se kallëzimi penal që është ushtruar kundër saj nga opozita, do të hidhet poshtë dhe thotë se nuk do të ndalen, pavarësisht “tentativave për t’i sprapsur vendimet e drejta”.
Kallëzimi penal u ushtrua nga deputetët e opozitës të komisionit hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave për nxënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, në Prokurorinë Speciale të martën, më 12.11.2024.
Nagavci tha se ky veprim është shumë i pritshëm.
““PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur” – tha Arbërie Nagavci
“Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua” – ka shkruar ajo në Facebook.
Ministrja shtoi se si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë përkrahur edhe komisionin hetimor, sepse nuk kanë çfarë të fshehin.
“Megjithatë, pa përfunduar punën aty dhe pa miratuar Raportin e Komisionit Hetimor, i janë drejtuar Prokurorisë Speciale me kallëzim penal” – ka thënë Ministrja.
Mirëpo, deputeti Shemsedin Dreshaj (AAK) në një konferencë për media sot, më 12.11.2024, ka thënë se komisioni ka përmbyllur një proces të intervistimit të palëve në prani të ekspertëve në një raport final, i cili s’është votuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi nuk kanë marrë pjesë në tri mbledhjet e fundit të këtij komisioni.
Gjatë konferencës, deputeti Ardian Kastrati ka shfaqur një dosje me dokumente, të cilës i është referuar si raport i hartuar nga ekspertët e komisionit hetimor parlamentar që kanë qenë të rekrutuar, të zgjedhur dhe votuar nga ta.
Deputeti Kastrati tha se ka keqmenaxhim dhe ka keqplanifikim në procesin e subvencionimit të blerjes së librave vitin e kaluar dhe si rrjedhojë ka përmendur se shumë nxënës nuk i kanë marrë librat deri në fund të vitit shkollor 2023/2024.
“Përveç kësaj, është ndiku edhe në transaksione të ndryshme ku ka mundësi që dikush i ka marrë të hollat që jeton jashtë shtetit, për shkak që është ikë Kosova dhe nuk i ka fëmijët fare këtu në shkollë ose plot të tillë nxënës s’i kanë marrë të hollat nga subvencioni fare” – ka thënë Kastrati.
Kastrati pretendon se ka pasur transfer të linjave buxhetore nga Ministria e Arsimit për buxhetin për subvencionim të blerjes së librave në vitin shkollor 2023/2024.
“Kjo është ndiku edhe me transfer të linjave buxhetore, si p.sh. siç është nga digjitalizimi, i cili është cilësuar si shtylla e reformës në arsim e për të cilën shumë ka trumpetuar Nagavci për atë reformë dhe për atë digjitalizim, e tjera, tjera. Por, mbi të gjitha janë dy pasoja kryesore, të cilat për mua konsumojnë edhe elemente të veprës penale – e para është që në komisionin hetimor ata nuk kanë arritë me justifiku ose arsyetu se ku kanë mbetë 6 milionë euro diferencë, pra nga 4 milionë të planifikuara, ata i kanë harxhu 11 milionë e diçka në vitin e kaluar” – ka shtuar Kastrati.
Sipas Kastratit, përveç ministres Nagavci si udhëheqëse e procesit të subvencionimit të librave, po ashtu edhe ministri i Financave, Hekuran Murati si përgjegjës që i ka shpërndarë financat për këtë proces, edhe kryeministri Albin Kurti, duhet të rrëfehen te Prokuroria Speciale.
Dorëzuesit e kallëzimit penal ishin Shemsedin Dreshaj, Ardian Kastrati, Vlora Dumoshi, Bekim Haxhiu e Agim Veliu.
Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave përbëhej nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj- Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.
KALLXO.com ka raportuar për intervistimin e disa drejtorëve komunalë të Arsimit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit në komision hetimor parlamentar, në cilësinë e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së librave.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.
Nagavci më 13.08.2024 në një konferencë për media deklaroi se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.
Më 06.09.2024, KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Arsimit i ka ndarë 20,418,670 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com udhëheqësi i Divizionit për buxhet dhe financa në Ministri të Arsimit, Fehmi Zylfiu.
“Buxheti i ndarë nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në vlerë prej 20,418,670.00€ për vitin shkollor 2024/25” – ishte përgjigjur Zylfiu, më 06.09.2024.
Në krahasim me vitin shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit i ka ndarë 8,167,220 euro më shumë këtë vit për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.
KALLXO.com e kishte pyetur Zylfiun edhe për buxhetin e shpenzuar për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.
“Buxheti i ndarë nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në vlerë prej 12,251,450.00€ për vitin shkollor 2023/24” – kishte thënë Zylfiu.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, më 15.08.2024.