Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Nagavci emëroi u.d. sekretare të MAShT-it Fadile Dylën

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka emëruar Ushtrues Detyre të Sekretarit të Ministrisë, Fadile Dylën.

Emërimi i Dylës në këtë pozitë vie pasi, ish-U.D. Sekretarit, Agim Bërdyna i kishte kaluar mandati si ushtrues detyre.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga zyra për media e Ministrisë së Arsimit.

“Sipas Rregullores (Qrk)-Nr. 17/2018 Për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Neni 17 lidhur me ushtrimin e detyrës, përveç në raste të mungesës së mbajtësit të postit për shkaqe shëndetësore, asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk duhet të plotësohet me ushtrues detyre për më shumë se 3 muaj. Ky afat mund të vazhdojë edhe për tre muaj gjatë zhvillimit të procedurave të rekrutimit. Ndërkaq, për pozitën në fjalë ishte tejkaluar ky afat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje ata kanë bërë të ditur se për plotësimin e pozitës së sekretarit të ri kanë filluar procedurat për rekrutim, por deri në përzgjedhjen e tij do të ushtrojë detyrën Fadile Dyla.

“Për plotësimin e pozitës së sekretarit, kanë filluar procedurat e rekrutimit sipas Ligjit Nr.06/L-114 Për Zyrtar Publik dhe Rregullores Nr.15/2020 për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Nënpunësve të Lartë Drejtues. Në funksion të ruajtjes së vazhdimësisë institucionale gjatë procesit të zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm është caktuar si zëvendësuese, Z. Fadile Dyla e cila do të jetë në këtë pozitë deri në zgjedhjen e sekretarit/ose sekretare”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

MAShTI ka bëtë të ditur se në lidhje me këtë i tërë procesi do të realizohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Bërdyna ishte emëruar si ushtrues detyre nga ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në Qeverinë Kurti 1, më 28 shkurt 2020.

Ndërsa, Fadile Dyla është zyrtare e Ministrisë së Arsimit tash e disa vite.

Ish-partiaku i Hykmete Bajramit bëhet U.D Sekretar në MAShTI

.