Ministrja Nagavci e dënon rastin ndaj 11-vjeçares që dyshohet se është dhunuar

Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar lidhur  me  rastin e 11-vjeçares që dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të dyshuar në Prishtinë para katër ditësh.

Ministria ka bërë thirrje për dënim e reagim të shpejtë të institucioneve përkatëse.

“E dënoj fuqishëm aktin e tillë” – ka thënë  Nagavci duke shprehur indinjatën e saj lidhur me rastin.

“Duke shprehur indinjatën time të thellë për rastin e fundit brutal të dhunimit seksual të miturës 11-vjeçare nga pesë burra në Prishtinë. E  dënoj fuqishëm aktin e tille, duke bërë thirrje dhe duke pritur që reagimi i zinxhirit institucional të jetë i shpejtë dhe efikas në mbrojtjen e së miturës dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse në njërën anë, ashtu si dhe zbatimin e procedurave ligjore për të dyshuarit në anën tjetër”- ka potencuar ajo.

Tutje Nagavci ka përmendur rolin e institucioneve edukativo-arsimore në zhvillimin e shoqërisë, në mënyrë që fëmijët të ndihen të lirë, të sigurt dhe të barabartë pa asnjë dallim.

Sot qindra protestues kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, drejt objekteve të organeve të rendit të drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës, pas rastit të 11-vjeçares.

Ata kanë gjuajtur me ngjyrë të kuqe objektin e Prokurorisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, pastaj objektin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policinë e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, tutje duke u nisur në drejtim të objektit të Avokatit të popullit.

Protesta vjen si rezultat i ngjarjes së rëndë që ndodhi më 27 gusht 2022, kur edhe dyshohet se u dhunua 11-vjeçarja

.Lidhur me rastin, dje është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë janë arrestuar gjatë tri ditëve të fundit. Këtyre të fundit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

11-vjeçarja dyshohet se derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.