Ministrja kthehet në punë, një ditë pasi mungoi në gjykim nën arsyetimin se pati kontakt me një të infektuar

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, u takua sot me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

“Ministrja Haradinaj-Stublla u shpreh se EULEX mund të  ketë rol të rëndësishëm në informimin e vazhdueshëm të Brukselit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin e Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Në këtë kuadër, ajo potencoi progresin e bërë nga institucionet e Kosovës në plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, që duhet të merret në konsideratë nga vendet e BE-së”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Sipas komunikatës, ministrja Haradinaj-Stublla dhe shefi i EULEX-it diskutuan edhe për lirinë e lëvizjes, ku shefja e diplomacisë kosovare vuri në pah vonesën e hapjes së urës mbi lumin Ibër, që është pjesë konkluzioneve të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

Ky takim po zhvillohet një ditë pasi ajo deklaroi se ishte vetizoluar pas një kontakti me një të infektuar me COVID-19. Pikërisht në të njëjtën ditë kur pritej të paraqitej në seancën ndaj saj, si e akuzuar për raportim të rrejshëm të pasurisë. Seanca u shty për shkak të mungesës së ministres.

Haradinaj – Stublla njoftoi të martën se është vetizoluar dhe është testuar për COVID-19. Ajo nuk ka bërë të ditur rezultatin e testimit të saj por ka vazhduar aktivitetet e saj.

Kujtojmë se pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën, me ç’rast të njëjtës i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, Haradinaj – Stublla nuk do të kryente vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin detyrohej ta paguante brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.