Foto: Meliza Haradinaj-Stublla/ Facebook

Ministrja kosovare reagon pas padisë ndaj Ragmi Mustafës nga gjykata e Serbisë për ngritjen e flamurit shqiptar

Ministrja e Punëve të Jashmte dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pasi që kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesë nga Gjykata e Bujanocit për një padi në lidhje me ngritjen e flamurit kombëtar.

Sipas ministres, padia ndaj Mustafës është qartazi e motivuar politikisht dhe në kundërshtim me parimin e mosdiskriminimit dhe mbrojtjes të të drejtave të komuniteteve etnike.

“Në vend që të zotohet për njohje dhe avancim të të drejtave të komunitetit shqiptar, sidomos tani që kemi një dialog aktiv për njohje reciproke nën lehtësimin e aleatëve, Serbia vazhdon avazin e vjetër me politikë dhe institucione shqiptarofobike”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas Haradinaj-Stubllës, shqiptarët në Luginë duhet të gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara, njësoj sikurse janë të garantuara të drejtat e zgjeruara të serbëve në Kosovë.

“Kjo NUK është rruga e Çmimit Nobel për Paqe”, ka përfunduar ajo.

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesë nga Gjykata e Bujanocit për një padi në lidhje me ngritjen e flamurit kombëtar.

“Sot, pranova ftesë nga Gjykata në Bujanoc, si i paditur në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2019. Kjo ftesë shfaqet pas shmangies së ballafaqimit të Ministrit Mbrojtjes Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vullin me padinë e ngritur nga unë, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese kundrejt shqiptarëve”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai ka shtuar se padia e ngritur nga Gjykata e Vranjës është e motivuar politikisht.