Ministrja Arbërie Nagavci i ndan mirënjohje nxënëses Era Sylës; Foto: MASHTI

Ministrja i ndan mirënjohje nxënëses Era Syla për suksesin në garën evropiane të matematikës

Ministrja  e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci i ka ndarë mirënjohje nxënëses Era Syla për fitoren e medaljes së argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza 2021.

Ministrja Nagavci theksoi se edhe në programin qeverisës është paraparë mbështetja për të gjitha nivelet dhe se fokusi do të jetë në identifikimin e talentëve të rinj.

“Ajo shtoi se mirënjohja për këtë nxënëse, është mundësi e mirë që të motivojmë të gjitha vajzat dhe djemtë se me angazhim dhe punë arrihen sukseset” shkruan në njoftimin e MASHTI-it.

Nxënësja Era Syla, e falënderoi ministren Nagavci për mirënjohjen dhe tha se shpreson që pas studimeve në ShBA të kthehet në Kosovë e t’i inspirojë të rinjtë që të ndjekin rrugën e saj.

Në prill të këtij viti është mbajtur Olimpiada e 10-të Evropiane e Matematikës për vajza-EGMO 2021 ku nxënësja nga Kosova, Era Syla fitoi një medalje të argjendtë. Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë të tillë prestigjioze ndërkombëtare.

Era Syla është atomiste e identifikuar nga Instituti Atomi, e cila edhe vitin e kaluar ka fituar Medalje të Bronztë në EGMO 2020.

Syla është pranuar për të studiuar matematikë në universitetin prestigjioz Massachusetts Institute of Technology (MIT) në SHBA.