Ministrja holandeze: Tejet e shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme në Holandë, Hanke Bruins Slot është shprehur e shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ministrja Holandeze tha se Bashkimi Europian kërkon nga të gjithë akterët që të punojnë për shtensionimin e situatës.
“Tejet e shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kërkojnë vazhdimisht nga të gjithë akterët të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën”- ka shkruar ajo në twitter.
Extremely worried about developments in the north of Kosovo. The EU and its Member States repeatedly urge all actors to work to de-escalate the situation. https://t.co/zdpngnbvRn
— Hanke Bruins Slot (@HankeBruinsSlot) September 24, 2023
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.