Ministrja Haxhiu vlerëson raportin e BIRN dhe Internews Kosova: Reformat në drejtësi duhet të jetësohen

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar lartë raportin vjetor të monitorimit të gjykatave të BIRN dhe Internews Kosova.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook tha se në këtë raport dëshmohet mungesa e veprimeve dhe vendimeve meritore në rastet e korrupsionit sidomos atij të nivelit të lartë.

“Përmes këtij raporti pasqyrohet ajo se në 40 aktgjykime të nxjerra nga gjykatat e Kosovës në vitin 2020, rrjedh që politika ndëshkimore në rastet e korrupsionit nuk përmbush kërkesat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, e aq më pak të Udhëzuesit të Politikës Ndëshkimore të miratuar nga Gjykata Supreme e Kosovës në vitin 2018”, ka shkruar Haxhiu,

“Më tutje, Raporti thekson që janë shqiptuar dënimet e bazuara në rrethanat tërësisht të paarsyetuara, janë shqiptuar dënime të kushtëzuara të paarsyetuara, është lejuar konvertimi i dënimeve me burg me dënim me gjobë, e të tjera të ngjashme”, ka shtuar ajo më tej.

Sipas saj, përballë kësaj gjendjeje, reformat që i kanë nisur janë të domosdoshme dhe do të jetësohen.

“Monitorimet e sistemit të drejtësisë si dhe pushteteve tjera janë të domosdoshme në mënyrë që secili që bartë pozicione të rëndësishme të kryejë detyrën me nderë e profesionalizëm”, tha ajo në fund.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova kanë publikuar sot raportin e 15-të të monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Raporti titullohet “Përkëdhelja e Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2020.

Ky raport i monitorimit është fokusuar në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2020 dhe gjithashtu në analizën e performancës së gjyqësorit në trajtimin rasteve të korrupsionit.