Ministrja Haxhiu: Vettingu është “vaksinë” për sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë seancës së Kuvendit ku po debatohet lidhur me Raportin e Progresit për vitin 2021 ka folur për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe e ka quajtur vettingun “vaksinë” për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë.

Haxhiu e mori fjalën pas diskutimit të deputetëve lidhur me vaksinimin kundër COVID-19 dhe duke qeshur tha se ajo nuk do flasë për vaksina po për vettingun, “ndonëse është një vaksinë kogja e mirë, vaksinë për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë”, u shpreh Haxhiu.

Ministrja Haxhiu foli edhe për të Raportin e Progresit sa i përket sundimit të ligjit.

“Në raportin për vendin sa i përket të sundimit të ligjit thuhet se Kosova është në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional. Thuhet që administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo efikas dhe lehtësisht i ndikuar nga politika”, tha Haxhiu.

Ajo tha se mbi bazën e këtyre çështjeve që evidentohen në vazhdimësi Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për vettingun në sistemin e Drejtësisë.

Haxhiu po ashtu tha se ka ftuar tri herë partitë politike në takim për ti njoftuar në detaje për çështjen e vettingut por përgjigja ka qenë refuzuese

“Tri herë radhazi kam ftuar partitë politike në takim për ti njoftuar në detaje për çështjen e vettingut dhe përgjigja ka qenë refuzuese, deri tani përveç grupit parlamentar “Lëvizja Vetëvendosje” dhe grupit parlamentar që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë, partitë tjera nuk kanë shprehur interes për të na takuar”, ka thënë Haxhiu.