Ministrja Haxhiu reagon pas sulmit seksual ndaj Mrika Nikqit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të videos ku shihet një person duke e sulmuar Mrika Nikqin në një rrugicë në Pejë. 

Haxhiu ka deklaruar se ngacmuesit e dhunuesit po e vështirësojnë jetën e vajzave e grave gjithandej Kosovës dhe kjo është e patolerueshme. Sipas saj, institucionet e drejtësisë duhet të shqiptojnë dënime maksimale për dhunuesit e ngacmuesit seksual.

“Për shkak të rritjes së rasteve të dhunës e ngacmimit seksual, para disa javëve kemi punuar në ndryshimin e Kodit Penal në drejtim të ashpërsimit të masave e dënimeve për dhunuesit dhe ngacmuesit. Të njëjtat, do t’i finalizojmë dhe procedojmë tutje javën e ardhshme dhe do të përkujdesemi që të gjitha procedurat deri në fuqizim të bëhen në kohë sa më të shpejtë” – ka shkruar Haxhiu në Facebook. 

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur më 27 shtator në orët e mbrëmjes. 

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se sot është arrestuar i dyshuari për sulm seksual ndaj Mrika Nikqit. Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.