Ministrja Haxhiu për deklaratën e Presidentes për ambasadorin Berishaj: Nuk kam çka t’i shtoj deklaratave tona të vjetra
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përsëritur qëndrimin e vjetër për ambasadorin Martin Berishaj duke thënë se nuk ka çka t’i shtojë deklaratave të thëna më parë.
Këtë e tha pasi që ajo dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u pyetën nga gazetarja e KALLXO.com, Arjana Berisha në konferencë për media, se si e komentojnë deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani se më e mira është që Berishaj të largohej vetë nga pozita deri në përfundim të hetimeve.
Haxhiu tha se kanë folur disa herë për këtë çështje, madje dhe vetë Presidentja Osmani, prandaj nuk ka çka të shtojë.
“Ne kemi thënë qëndrimet tona tash e sa për ambasadorin Martin Berishaj. Ka pasur komision hetimor që s’gjeti asgjë. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kihen parasysh këto aspekte. Vlerësojmë që nuk ka pasur as keqpërdorim te detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë, as ndonjë përfitim material e të tjera” – tha ministrja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka folur për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili më 2022 u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.
Osmani deklaroi se nuk e ka ftuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit që ka zhvilluar në Kroaci.