Albulena Haxhiu

Ministrja Haxhiu ka thënë se është e pakënaqur më zbatimin e ligjit për Sinjalizimin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në raportimin e saj para Komisionit për Integrime Evropiane ndër tjera tha se janë duke shqyrtuar mundësitë për një fushatë promovuese lidhur me procedurën e sinjalizimit.

“Si ministre e Drejtësisë nuk jam e kënaqur me nivelin e zbatimit të këtij ligji, jemi në kontakt me drejtorin e AKK që të bëjmë fushata sensibilizuese në mënyrë që zyrtarët të raportojnë. Është ligj shumë i rëndësishëm i cili nuk është duke u zbatuar në masën që ne dëshirojmë”, tha ajo.

Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë është duke i trajtuar me shumë prioritet reformat që vijnë në kuadër të agjendës europiane.

“Ne si ministri jemi angazhuar lidhur me avancimin e reformave në sektorin e drejtësisë, qeveria vitin e kaluar ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, për të rritur luftën kundër krimit të organizuar në korrupsionit dhe për të përmirësuar qasjen në drejtësi. Jemi duke u fokusuar që përmes komitetit dhe grupit që institucionet që kanë obligime që i parasheh strategjia, t`i realizojnë në kohë reale”, ka shtuar tutje Haxhiu.

Ministrja Haxhiu po ashtu përmendi edhe vettingun si proces si dhe nisma të tjera legjislative që i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për shtetin e së drejtës.

“Së pari në kohë reale është miratuar koncept dokumenti  për vettingun, ne i jemi drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë mendimin e tyre për këtë çështje, 17, 18, 19 komisioni do të jetë në Kosovë për t`u takuar me palët, shoqërinë civile në mënyrë që deri në qershor të votohet dokumenti”, është deklaruar Haxhiu për këtë çështje.

Haxhiu tha se një nismë tjetër legjislative është edhe projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, ku tha se komisioni Venecias do të vijë në Kosovë më 11 maj për t`u takuar më shoqërinë civile dhe institucionet.

“Një dokument tjetër është themelimi i mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, jemi në përfundim të punës për këtë projekligj, po përpiqemi që në fillim të qershorit ta kemi të procedurar në qeveri”, shtoi tutje.

Ministrja Haxhiu, tha se deri në fund të vitit do t`i përmbushin të gjitha masat që Ministria i ka në kuadër të agjendës evropiane.

“Janë 12 masa, në fillim janë përmbushur 5, na kanë mbetur edhe 7, por kemi afat deri në fund të muajit dhjetor. Të gjitha zotimet në agjendë do të zbatojmë më sukses brenda afateve kohore”, tha ajo.

KALLXO.com ka publikuar një analizë qe tregon për përformancen e ulët të sinjalizimit në Kosovë.

Performanca e ulët e sinjalizimit