Ministrja Haxhiu ia tregon ambasadorit amerikan masat për vetingun në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është takuar gjatë ditës me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.

Gjatë këtij takimi sipas njoftimit të MD-së është diskutuar për prioritetet në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Në këtë takim u shpreh përkushtim nga të dy palët për bashkëpunim dhe kontribut për fuqizimin e ligjit.

“Ministrja Haxhiu e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ndryshimet dhe reformat që kanë filluar të ndërmerren për fuqizimin e sundimit të ligjit, duke përmendur kështu çështjen e Vetingut, dhe e njoftoi me hapat e parë lidhur me themelimin e grupit të ekspertëve për draftimin e skenarëve për këtë proces”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Haxhiu sipas njoftimit i ka përmendur Kosnett edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e që do të jetë prioritet i Qeverisë për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Kujtojmë se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të javës së kaluar është votuar themelimi i grupit punues të ekspertëve të pavarur për skenarin e reformës në vetting në sistemin e drejtësisë.

Anëtarët e grupit punues të pavarur janë:

Kryesues: Qerim Qerimi, anëtari  i Komisionit të Venecias dhe profesor universitar

Anëtar: Avni Puka, profesor universitar

Fisnik Korenica, profesor universitar

Visar Morina, anëtar i Komisionit të Venecias, profesor universitar

Arbëresha Loxha, GLPS

Ehat Miftaraj, IKD

Adriana Qosaj- Mustafa, Rrjeti i Grave të Kosovës

Arton Demhasaj, Çohu

Kreshnik Gashi, BIRN