Ministrja Haxhiu flet pas deklaratave të Haki Abazit: Duhet të jetë dëshmitar i rastit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur para mediave në lidhje me deklaratat që ka dhënë sot deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Haxhiu tha fillimisht se njoftimin për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit e ka bërë ajo ndërsa shtoi edhe se ka dhënë deklaratë në organet e rendit për këtë çështje.

Ministrja tha se menjëherë pasi ka kuptuar deklaratat ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi që të njoftohet Prokuroria Speciale dhe Abazi të jetë dëshmitar i rastit të mostrave të Astrit Deharit.

“Secili që ka informacione në raport me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, duhet së pari para se të dalë në konferencë për media të shkoj në Prokurri Speciale, madje nëse ka pasur informacione shtrohet pyetja se pse nuk ka njoftuar më herët”- tha Haxhiu para mediave.

Tutje ajo shtoi se Abazi duhet për çdo gjë të njoftoj Prokurorinë Speciale për çdo provë në mënyrë që të mos përdor imunitetin prej deputeti.

“Unë dhe zëvendësi im kemi dhënë deklaratata dhe dëshmitë tona për institucionet e drejtësisë, për të gjitha informacionet që kemi sepse siç e dini ky rast është njoftuar nga unë menjëherë pasi kemi marrë njoftim nga drejtoresha e laboratorit të toksikologjisë. Personat e parë që janë marrë në pyetje, janë personat që e kanë raportuar një rast të tillë, informacionet që i kam pasur janë pranë institucioneve por çdoherë do të jem e gatshme të i shërbej drejtësisë”- ka thënë tutje Haxhiu.

Ajo përmendi edhe faktin se në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka kamera të sigurisë por që pamjet e tyre fshihen pas një kohe të shkurtë.

Në anën tjetër në hapësirat e jashtme të IML-së qëndrojnë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“Realisht është e pamundur që të verifikoj çka ka ndodh, sipas informatave që kam marrë pasi që jam njoftuar për vjedhjen e mostrave të Astrit Deharit, i kemi pyetur për kamera, pjesa ku ruhen mostrat është pjesë që nuk ka qasje gjithkush janë realisht 3 persona që kanë qasje, por më kanë thënë që ekzistojnë kamerat por që fshihen shkurt”- tha ajo.

Haxhiu përmendi edhe faktin se Komisioni Disiplinor pas rastit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit kishte suspenduar nga puna disa zyrtarë të IML-së, Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Këta siç thotë Haxhiu janë kthyer në punë dhe u është ndërprerë suspendimi me vendim të Komisionit të Ankesave.

“Komisioni disiplinor i ka suspenduar nga detyra, drejtori i institutit që po ushtron detyrën ka qenë në komunikim me prokurorinë nëse ndonjë prej tyre dyshohet, njoftimet kanë qenë se ende nuk ka të dyshuar, prandaj edhe sapo të ketë do ta njoftojnë IML. Çka ka ndodhur është që komisioni i ankesave ua ka hequr masën e suspendimit”- përfundoi Haxhiu.

Një muaj pas përvjetorit të gjashtë të vdekjes së Astrit Deharit, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte dalë me një njoftim se mostrat e tij janë zhdukur nga IML.

“Që nga tetori i vitit 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin dhe tek dje në momentin qe e kanë bërë bartjen e tyre e kanë kuptuar që mungojnë” – tha Haxhiu në konferencë për media.

Ministrja po ashtu kishte thënë se nuk ka dyshime se kjo është bërë me forcë.

“Nuk ka thyerje të derës, nuk ka thyerje të vendit ky hynë çelësi, prandaj po them që dikush nga zyrtarët përgjegjës, janë përgjegjës për këtë” – kishte thënë ajo.

Haxhiu tutje ka thënë se në hapësirën në të cilën ruhen mostrat kanë qasje vetëm tre persona.

“Ky akt është vërejtur dje (7 dhjetor 2022) gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në tërësi”- tha tutje ministrja Haxhiu.

Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme, deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi pretendoi se Prokuroria Speciale duhet të intervistoj Albulena Haxhiun, Albin Kurtin, Flutura Bajrami- Gogaj dhe Nalie Balajn për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

“Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme, ne nuk mund të rrimë të heshtur përballë këtij procesi dhe duhet ta zbardhin këtë çështje. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë me kamera, dihet qartë se kush ka hyr tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë nën mostra tjetra dhe janë zhdukur”- shtoi Abazi.

“Mendoj që Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balan dhe Flutura Goga Bajrami” – shtoi ai.