Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Haxhiu e quan "të papranueshëm" reagimin e Lumezit ndaj Sveçlës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për aksionin e sotëm në Shtërpcë, që ka të bëjë me keqpërdorimet e dyshuara gjatë ndërtimit të objekteve në Brezovicë.

Lumezi kishte thënë se hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike.

Ky reagim i Lumezit erdhi pasi që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte shkruar për të njëjtin aksion.

“Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit”, kishte thënë Lumezi.

Ndërsa, ministrja Haxhiu ka thënë se komunikata nga zyra e Prokurorit të Shtetit kundrejt ministrit Xhelal Sveçla është e papranueshme.

“Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka pyetur se pse nuk vepruan më herët kur ish-zyrtarë të lartë duke nisur nga ish-presidentë, ish-kryeministra e ish-ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan vila në Brezovicë.

Në këtë aksion janë arrestuar dhjetë persona, 12 lokacione janë kontrolluar, tetë nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona janë nga rajoni i Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni është ndalur ish-kryetari i Shtërpcës, drejtori aktual i Urbanizmit, inspektorë komunalë, disa qytetarët për shkak të dyshimit të veprës penale – keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe dhënie të ryshfetit.

Kryeprokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së ministrit Sveçla për aksionin në Shtërpcë