Ministrja Haxhiu: Deklarata e Baton Haxhiut është krim për së dyti

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu në lidhje me amnistinë e krimeve të luftës.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.

Haxhiu ka thënë se deklarata e Baton Haxhiut se është krim për së dyti ndaj dëshmorëve të kombit, mbi 12 mijë të vrarëve, 1,641 të pagjeturve, 20 mijë grave të dhunuara e familjarëve të tyre të cilët ende kërkojnë drejtësi.

“Nuk do t’i lejojmë këta që tentojnë të shtyjnë përpara pazare e projekte të rrezikshme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Haxhiut:

Javën që shkoi patëm disa deklarata tejet skandaloze dhe kriminale që tentojnë të përgatisin substratin e një marrëveshje të dëmshme me Serbinë thelbi i së cilës është ndarja e Kosovës.

Për pozicionin dhe mënyrën e negocimit foli nënkryetari i LDK-së Haziri, duke treguar që më shumë se mbrojtje e kanë ofertë për Serbinë çështjen e kufijve, në anën tjetër kishim deklaratën e Baton Haxhiut, i cili përpos që para gjithë shqiptarëve na i shiti si të pavlera krimet e Serbisë në Kosovë foli edhe për ‘ridefinimin e veriut’.

Të dyja këto deklarata flasin qartë për PLAN-in që po i përgatisin Kosovës këta që aktualisht janë duke bërë përpjekje antikushtetuese për të formuar një qeveri jo legjitime. ”Gazetari” Haxhiu që për disa muaj na u zhdukë nga skena menjëherë na u paraqitë në media për të na treguar mbi ujditë e fundit me Serbinë. Pra, ky që së bashku me Presidentin para pak kohësh flisnin për ”një korrigjim të lehtë të kufijve” e ”dhuratën e Rankoviqit”, tash paska dalë me një emër të ri për idenë e vjetër të copëtimit të Republikës së Kosovës nën titullin ”ridefinim i veriut”.

Këta siç duket ujdinë e gatshme duan ta sjellin në Kosovë, por kjo gjë ka përfunduar njëherë e mirë. Protesta e shtatorit 29 shtatorit 2018 ”Një Popull s’i nënshtrohet një Njeriu” dhe zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar janë shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve të këtij vendi.

Ndërkaq deklarata e Baton Haxhiut se është e panevojshme të kërkohet dënimi i krimeve të luftës është krim për së dyti ndaj dëshmorëve të kombit, mbi 12 mijë të vrarëve, 1641 të pagjeturve, 20 mijë grave të dhunuara e familjarëve të tyre të cilët ende kërkojnë drejtësi.

Nuk do t’i lejojmë këta që tentojnë të shtyjnë përpara pazare e projekte të rrezikshme!