Ministrja Haxhiu bën thirrje që rastet e dhunimit të trajtohen me seriozitet

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimit se dy raste të dhunimit janë paraqitur brenda javës në Mitrovicë.

Haxhiu i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t’i trajtojnë me seriozitet dhe që sipas saj, masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta apo lirim në procedurë të rregullt.

“Vetëm brenda javës u raportuan dy raste të dhunimit seksual. Të dyja rastet nga qyteti i Mitrovicës. Kjo më ka shqetësuar shumë. I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t’i trajtojnë me seriozitet. Masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt sepse kjo është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale. Dhunimi seksual është vepër penale dhe rastet e tilla duhet të marrin dënimin sipas legjislacionit ne fuqi”, ka shkruar ministrja Haxhiu në rrjetin social “Facebook”.

Policia e Kosovës  ka njoftuar sot se dje rreth orës 05:00 një person është arrestuar nën dyshimin se e ka dhunuar një vajzë, ndërsa  i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu edhe më 5 maj, KALLXO.com ka raportuar se një vajzë ka raportuar në polici se është dhunuar nga tre persona të dyshuar.

Policia ka bërë të ditur se pas raportimit të viktimës, tre të dyshuarit për këtë rast janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Mitrovicë, viktima dhunohet nga tre persona