Ministrja Hardinaj-Stublla bën kërkesë zyrtare për të vizituar lokacionet e varrezave masive në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ministrja Miliza Haradinaj-Stublla ka bërë kërkesë zyrtare për të vizituar lokacionet e varrezave masive në Serbi.

“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive ku ditëve të fundit u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që së shpejti pritet të nisë procesi i zhvarrosjes së tyre,” thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ajo ka shprehur vendosmëri për të qenë afër familjeve që humbën më të dashurit dhe janë në kërkim të drejtësisë edhe tani 21 vite më vonë.

Haradinaj-Stublla gjithashtu ka synim të sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale dhe fshehjen e qëllimshme të varrezave masive.

“Ajo ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre në mënyrën më ç’njerëzore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, duke lartësuar sakrificën dhe dhimbjen e tyre duke kërkuar përgjegjësinë dhe drejtësinë, 21 vjet pas. Shefja e diplomacisë kosovare pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta shohë nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi,” thuhet tutje në njoftim.