Ministrja Haradinaj-Stublla mirëpret letrën e Bidenit drejtuar presidentit serb për njohje reciproke Kosovë-Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka mirëpritur letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmes së cilës ka kërkuar njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikate për media, shefja e diplomacisë kosovare e vlerëson këtë si një arritje në pozicionin e palëkundur të Kosovës për përmbylljen e dialogut final me Serbinë me njohje të pakushte të pavarësisë së Kosovës.

“Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kam kërkuar në vazhdimësi rol aktiv e përcaktues të SHBA-ve në dialogun final me Serbinë. Vetëm me përfshirjen e SHBA-ve, me qëndrimin e tyre të palëkundur se duhet të ketë njohje reciproke, mund të arrihet marrëveshja finale e cila do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë“, citohet të ketë thënë ajo.

Sipas saj prania e ShBA-së është mëse e rëndësishme për një marrëveshje të qëndrueshme.

“Pa rolin aktiv dhe përcaktues të SHBA-ve si aktor kryesor dhe administratën e Presidentit Biden do të jetë vështirë të paramendohet një marrëveshje e qëndrueshme që garanton njohjen reciproke mes dy shteteve”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka kërkuar homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, njohjen e Kosovës së pavarur.

Në një letër urimi, të publikuar nga mediat serbe, me rastin e 15 shkurtit – Ditës Kombëtare të Serbisë, Biden thekson se ShBA qëndron përkrah Serbisë në synimin për integrimin europian dhe e inkurajon të vazhdojë të bëjë hapa përpara për të arritur këtë qëllim – përfshirë realizimin e reformave të domosdoshme dhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizim me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Joe Biden i kërkon Aleksandar Vuçiqit ta njohë Kosovën