Ministrja Haradinaj: I kërkova homologut holandez që të rishikojnë qëndrimin skeptik ndaj liberalizimit të vizave

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla ka njoftuar se nga takimi i sotëm me homologun e saj holandez, Stef Blok ka kërkuar që Holanda të rishikojë qëndrimin skeptik ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar se i ka dorëzuar raportin e azhurnuar të Kosovës për gjendjen në sundim të ligjit, krimin e organizuar, dhe migrimin – çështje këto sipas saj, që ndërtojnë qëndrimin skeptik të tyre.

“Duke e falënderuar për pritjen, me homologun holandez biseduam për zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë Marrëveshja e Uashingtonit mes të Kosovës dhe Serbisë, që i paraprinë marrëveshjes finale për njohje reciproke, dhe avancimit në pozicion njohës të pesëshes së mbetur të BE-së”, ka shkruar Haradinaj – Stublla në rrjetin social “Facebook”.

“Diskutuam edhe për mungesën e liberalizimit të vizave pas përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, dhe kërkova nga z.Blok që Holanda të rishikojë qëndrimin skeptik ndaj kësaj agjende. I dorëzova poashtu edhe raportin e azhurnuar të Kosovës për gjendjen në sundim të ligjit, krimin e organizuar, dhe migrimin – çështje këto që ndërtojnë qëndrimin skeptik holandez – dhe e ftova të shkëmbejmë grupe të përbashkëta punuese në nivel ekspertësh që do të adresojnë shqetësimet e autoriteteve holandeze”, thuhet tutje në postimin e ministres.

Më tej, ajo ka njoftuar se me ministrin Blok nënshkruan edhe Marrëveshjen për Sigurimet Sociale ndërmjet Kosovës dhe Holandës, “që lidhet me pensionet dhe përfitimet ligjore të ndërsjella”.