Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Ministrja Hajdari nuk i mohon shkarkimet në Telekom, Bordi shqyrton dorëheqjen

Mbrëmë është raportuar në media se ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari do të propozojë shkarkimin e Bordit të Telekomit të Kosovës, për shkak të përformancës së dobët.

KALLXO.com ka provuar në vazhdimësi që të kontakojë me ministren Hajdari, por e njëjta nuk ka pranuar që të deklarohet me arsyetimin se është e zënë.

Kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri- Berisha, për KALLXO.com ka thënë se ende nuk kanë diçka zyrtare, por që thotë se mes opsioneve është shqyrtuar mundësia për dorëheqjen e Bordit para se që të shkarkohen nga Qeveria.

Ajo ka thënë se kanë kërkuar takim nga ministrja që nga data 12 shkurt, por që kjo e fundit nuk ka pranuar.

“Nuk kemi ndonjë informacion zyrtar, as për shkarkime e as për dorëheqje. Kemi shqyrtuar të gjitha opsionet, por nuk ka diçka përfundimtare. Si opsion është ose me u dorëheq ose me prit shkarkimin ose bashkëpunimin. Bordi i Telekomit ka bërë një reagim ndaj ministres pasi që e njëjta nuk e ka mohu lajmin mbrëmë në media. Na kemi lyp takim me datën 12 edhe për me informu për gjendjen në Telekom edhe pse kjo nuk është ndonjë risi  se tashmë dihet si është gjendja, e cila është trashëguar nga shumë e shumë vite. Ministrja ka vendos që me e injoru kërkesën tonë, është e drejta e saj që me e dërgu në Qeveri propozimin për shkarkim”, tha ajo.

Qeveria në krye me Albin Kurti ka marr disa vendime menjëherë pas marrjes së detyrës.

Në mbledhjen e parë të qeverisë, ka shfuqizuar disa vendime të qeverisë Haradinaj.

Albin Kurti e shkarkon drejtorin e Doganës

Qeveria ia ul pagat vetes, Kurti thotë se vendimi nuk e prek sistemin e drejtësisë