Ministrja Hajdari konfirmon se anëtari i Bordit të Postës kishte masë disiplinore

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, ka konfirmuar se ndaj anëtarit të bordit të Postës së Kosovës, Kujtim Shala ka pasur masë disiplinore në të kaluarën.

“Kujtim Shala ka qenë punonjës në komandën e forcës tokësore, departamenti i komunikimit, dhe ne kemi qenë të informuar dhe kemi qartësuar dhe rasti paraprakisht them se është i mbyllur. Ky rast është mbyllë me vërejtje disiplinore dhe suspendim me një muaj masë edhe 1/3 e pagës, dhe rasti është mbyllur para 7 vitesh, dhe Kujtim Shala është profesionist i pastër në evidencë të çdo gjëje sa i përket historisë profesionale të tij, Kujtim Shala do të vazhdoj procedurat ligjore ndaj medias për ngritjen e kësaj pyetje”, ka thënë Hajdari.

I emëruari i Qeverisë Kurti në bordin e Postës së Kosovës, Kujtim Shala, ka pasur problem me punën e tij gjatë kohës kur ishte pjesë e s stafit të IT-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë informacione se Shala ishte ndëshkuar në procedurë disiplinore pasi komisioni disiplinor kishte konstatuar parregullsi në punën e tij. Kjo e kaluar nuk është paraqitur në CV-në e Shalës kur emri i tij është dorëzuar në qeveri.

Në dosjen e tij në ministri figuron se Shala ishte pezulluar nga puna për dy muaj e më pas paga e tij ishte zvogëluar për 3 muaj pasi komisioni kishte konstatuar shkelje gjatë punës.

Edhe një anëtar tjetër i LVV-së emërohet në Bordin e përkohshëm të Infrakosit