Ministrja Hajdari flet për mundësinë që Kosova të blejë grurë nga ShBA

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se Kosova ka marrë përgjigje pozitive që të jetë një prej blerësve të grurit nga Amerika në rast nevoje.

Përderisa shtoi se Kosova nuk është e varur nga Ukraina sa i përket importit.

“Duke filluar me një kërkesë në Ambasadën Amerikane që të vendoset në listë kemi marrë përgjigje pozitive që mund të jemi një prej blerësve nëse ka nevojë”, tha ministrja Hajdari gjatë raportimit të saj në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për punën e Ministrisë për vitin 2021 dhe planin e punës për vitin 2022.

“Duke parë rrezikun që kemi me luftën në Ukrainë, Kosova nuk ka vartësi nga Ukraina për import kryesisht ka qenë nga Serbia. Fatmirësisht kemi përgjigje pozitive prej shumë vendeve tjera për import”, tha ajo.

Tutje ministrja Hajdari tha se Kosova duhet të përgatitet për të ardhmen për rezerva shtesë.

“Ne duhet të përgatitem edhe pse kemi shtuar 10 milionë euro duhet edhe më shumë në të ardhmen për të shtuar rezerva shtesë”, tha Hajdari.

E pyetur për qëndrimi i Qeverisë në raport me bllokimin që ka bërë Serbia për grurë, Hajdari tha se prodhuesit nuk kanë mungesë për furnizim.

“Qëndrimi ynë është që të kemi një bashkëpunim më të afërt me prodhuesit tonë. Ata janë në rregull dhe nuk kanë ndonjë mungesë për furnizim”, tha ajo.

“Nuk jam për të ruajtur asnjë shtet më shumë se shtetin e Kosovës dhe ne po punojmë me evidencë në terren”, tha ajo.

Ndër tjerash, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja, tha se viteve të fundit Rusia ka qenë burim për grurin e importuar në Kosovë.

“Grurin e kemi marrë kryesisht nga tri vende, Rusia ka qenë burim për grurin e importuar. Këshilli i BE thotë se ti zëvendësoj këto vende qoftë për siguri apo të tjera”, tha ai.

Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja ka vendosur kundër Moskës.