Anna Luhrmann

Ministrja gjermane Luhrmann: Është detyrë e jona që ti mbrojmë gratë nga lufta dhe dhuna

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann ka thënë se agresioni rus mbi Ukrainën ka treguar për rëndësinë që duhet ta kenë çështjet e grave dhe sigurisë në agjendën evropiane.

Në fjalën e saj në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Luhrmann theksoi se siguria e grave është tregues për sigurinë e shoqërisë.

“Agresioni rus tregon sesa janë me rëndësi çështjet e grave dhe sigurisë në agjendën në Evropë. Pjesëmarrje e grave dhe paqja e qëndrueshme janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, siguria e grave është tregues i mirë për sigurinë e shoqërisë. Ne dim që gratë ndikohen nga lufta dhe dhuna që e shoqëron dhe detyra jonë është që ti mbrojmë gratë nga kjo dhunë”- theksoi ajo.

Në Prishtinë sot dhe nesër do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it.

Në kuadër do të zhvillohen 16 panele, në të cilat do të diskutohet çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimin e arkitekturës së sigurisë, përfaqësimin e grave, të rinjtë dhe përballje e tyre me të kaluarën, rolin e parlamenteve, drejtësinë tranzicionale, rolin e medias dhe të shoqërisë civile, dhunën ndaj grave, ndryshimet klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave, gratë në sektorin e sigurisë dhe atë të teknologjisë informative etj.