Foto: Albin Kurti, facebook

Ministrja Gërvalla udhëton në SHBA

Pa ndonjë paralajmërim të mëhershëm, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cila pritet të mbahet nesër.

Shefi i kabinetit të ministres Gërvalla, Sharr Jakupi ka thënë për KALLXO.com se ministrja gjatë kësaj vizite pritet të zhvilloj edhe disa takime.

“Takime me ambasadoret të vendeve të Këshillit të Sigurimit, vendeve që e kanë njohëse dhe mosnjohëse si dhe përfaqësues të institucioneve amerikane dhe ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Jakupi nuk ka dhënë detaje se kush janë këta ambasadorë dhe zyrtarë amerikanë të cilët pritet t’i takoj Gërvalla, pasi që sipas tij ‘agjenda mund të ndryshoj’.

Shefi i kabinetit të ministres Gërvalla ka thënë se gjatë kësaj vizite ajo do të takoj përfaqësues të mërgatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme shqiptare që veprojnë atje.

Një vizitë e tillë e ministres Gërvalla nuk është paralajmëruar e as raportuar në media.

Ndonëse ministrja Gërvalla ka udhëtuar në SHBA, një udhëtim për në vendin mik ende nuk e ka bërë kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse ka përmendur shtatorin e nëntorin e viti të kaluar, Kurti ditë më parë ka deklaruar se do të zhvilloj një vizitë të gjatë në SHBA, në maj të këtij viti.

Kurti edhe me një paralajmërim, thotë se në maj shkon në Amerikë