Ministrja Gërvalla në Arabi Saudite inkurajon organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë ditës së sotme po zhvillon vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, ku është pritur në takim nga Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, princi Faisal bin Farhan Al-Saud.

Sipas njoftimit të zyrës për informim të Ministrisë së Jashtme, Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Arabia Saudite i ka ofruar Kosovës në periudha të ndryshme dhe përkrahjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Ajo e ka njoftuar Princin Faisal bin Farhan Al-Saud me prioritetet e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e posaçërisht të politikës se jashtme, e cila në fokus qendror ka forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë pikë, Gërvalla ka kërkuar mbështetjen e Arabisë Saudite”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në njoftim thuhet se ministrja Gërvalla ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zbatim të rendit dhe ligjit si parakusht për integrim euro-atlantik, gjë që ka thënë se është aspiratë e Kosovës.

“Kryediplomatja e Kosovës ka bërë të ditur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin bilateral me Arabinë Saudite e posaçërisht në rrafshin ekonomik. Ajo ka theksuar se Kosova tashmë ka krijuar parakushte mjaft të mira për investime të huaja, të cilat shihen si të domosdoshme për krijimin e vendeve të reja të punës. Gërvalla ka inkurajuar organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike, të cilat do t’i shërbenin komunitetit biznesorë të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, princi Faisal bin Farhan Al-Saud, ka ritheksuar qëndrimin përkrahës të shtetit të tij karshi Kosovës dhe angazhimit për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar.