Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Ministrja Gërvalla largohet nga seanca, opozita lëshon sallën e Kuvendit

Gjatë diskutimeve në debatin parlamentar në lidhje me zhvillimet e politikës së jashtme të Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është larguar nga salla e Kuvendit.

Siç ka njoftuar kryeparlamentari Glauk Konjufca, arsyeja që ministrja është larguar nga seanca është se ka një takim me ministrin e Izraelit.

“Zëvendëskryeministrja më njoftoi se tash e ka një takim me ministrin e izraelit. Kjo ka qenë një agjendë e vendosur më përpara. Do të kthehet menjëherë sapo të përfundoj takimi”, ka konstatuar Konjufca.

Largimin e ministres Gërvalla, deputeti nga PDK, Abelard Tahiri e ka quajtur mjerim dhe nuk ka pranuar që të vazhdojë tutje me debat.

“Është caktu kjo datë me qenë gjatë gjithë debatin në Kuvend, është mjerim çka ndodhi, si propozues të këtij debati nuk pranojmë më vazhdu. Nuk jemi të interesuar të flasim vet me veti jemi të interesuar të flasim me ministre, është ofenduese për neve dhe për qytetarët e Kosovës. I kemi dhënë një vjet kohë dhe mos me qëndru është e papramiueshme”, ka thënë Tahiri.

Deputeti nga radhët e LDK, Armend Zemaj gjithashtu ka deklaruar se nuk do vazhdojë të marrë pjesë në debat dhe e ka vlerësuar debatin siç ka thënë ai “me 1-sh në gjuhën mësimore”.

“Është e paarsyeshme që ekzekutivi të largohen në këtë formë, me pritjen një vjeçare për të raportuar për diplomacinë e jashtme. Po e mbyllim këtë debat në ditarin e pa aftësisë me një njësh në gjuhën mësimore, sa kryt”, ka thënë Zemaj.

Po ashtu, deputetja nga AAK, Albana Bytyçi ka njoftuar se nuk do të vazhdojnë me debat pa prezencën e ministres Gërvalla.

“Edhe ne si grup i Aleancës do ta lëshojmë sallën”, tha deputetja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjithashtu ishte larguar më herët nga salla e Kuvendit.

Pas këtyre zhvillimeve përfundoi seanca, e cila do të vazhdojë pas vendimit të Kryesisë. Kuvendi do të mbajë seancë të rregulltë të enjten.