Ministrja Gërvalla: Kosova nuk do ta pranojë asnjëherë një asociacion serb që bie në kundërshtim me Kushtetutën e saj

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka përsëritur se Kosova nuk do të pranojë asnjëherë një Asociacion të Komunave Serbe me pushtet ekzekutiv, duke shkelur, në këtë mënyrë, Kushtetutën e saj, shkruan rrjeti i pavarur mediatik pan-evropian, EURACTIV.

Qeveria e mëparshme e Kosovës e pati nënshkruar një marrëveshje për formimin e Asociacionit, i cili do të funksiononte në Kosovë në mënyrë të pavarur nga institucionet shtetërore. Gjykata Kushtetuese vendosi kundër asaj marrëveshjeje dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se serbët etnikë janë të mirëpritur ta themelojnë një shoqatë, por ajo do të funksionojë si një OJQ.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë vazhdimisht se një strukturë paralele nuk mund të bashkëjetojë me qeverinë dhe do të ishte e dënuar të dështojë, sikurse në Bosnje dhe Hercegovinë.

Misnitrja e jashtme e Kosovës Donika Gërvalla deklaroi të hënën se asociacioni, të tillë siç e dëshiron Serbia dhe serbët etnikë, nuk është i mundur.

“Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por për të cilin palët kanë rënë dakord që të zbatohet vetëm pasi të ketë kaluar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nuk mund të zbatohet sepse është në kundërshtim me kushtetutën”, tha Gërvalla, duke shtuar se një vendim për të implementuar diçka e që shkel kushtetutën, nuk duhej të ishte marrë asnjëherë.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi që është në vazhdim e sipër, Gërvalla deklaroi se Serbia duhet të bëjë lëshime në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe “shumë tema të tjera”. Shqiptarët etnikë që jetojnë në Luginën e Preshevës janë fshirë nga regjistri civil në atë që është përshkruar si “spastrim etnik administrativ”, duke i penguar ata të votojnë, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe të kryejnë detyra të tjera bazike.

Ndërkohë, ditën e djeshme Prishtinën e ka vizituar edhe zëvendëskryeministrja dhe shefja e diplomacisë sllovene, Tanja Fajon, e cila është takuar me ministren Gervalla. Pas takimit, Fajon shprehu shqetësimin e saj dhe të shtetit që përfaqëson lidhur me rreziqet e sigurisë në rajon dhe bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan; duam një Ballkan të fortë dhe një Kosovë të fortë. Lidhur me tensionet në veri, thashë se Kosova duhet të përpiqet t’i normalizojë marrëdhëniet. Le të fillojnë negociatat për të biseduar për propozimin e sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Fajon.

Fajon i konfirmoi gjithashtu lidhjet e forta mes dy vendeve dhe tha se Sllovenia do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse aplikimi i saj i fundit për anëtarësim në BE nuk u përmend.

Gjatë kësaj jave, i dërguari special i BE-së për Ballkanin, Miroslav Lajçak dhe homologu i tij amerikan Gabriel Escobar do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë për ta përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë në Bruksel./EURACTIV.com

Përgatiti: Nuhi Shala